Haxhiu kritikon Vitinë që ka pranuar vaksinat AstraZeneca nga Norvegjia, kërkon nga qytetarët që t’ia kontrollojnë afatin vaksinave

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga qytetarët që të kontrollojnë afatin e vaksinave para se të vaksinohen kundër COVID-19.

Ai ka kërkuar të di nga Ministria e Shëndetësisë se pse janë pranuar vaksinat AstraZeneca nga Norvegjia, të cilat siç ka thënë kanë afat deri në korrik e gusht.

“Këto ditë Ministria e Shëndetësisë ka pranuar donacion nga Norvegjia pasi ky shtet kishte vendosur t’i largoj vaksinat e AstraZenecas. Bazuar në deklarimet e Ministrisë së Shëndetësisë në Norvegji, thuhet se afati i skadencës së tyre është korriku dhe gushti. Pse pranuat një donacion kur është në kundërshtim me ligjin për produkte dhe pajisje medicionale? Kur e kanë ditur datën e prodhimit të vaksinave, pse janë pranuar kur shumica e qytetarëve mbi 65 vjeç janë vaksinuar, pse keni pranuar donacion kur vendet e BE’së i kanë larguar ato”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Haxhiu ka kritikuar procesin e vaksinimit në Kosovë.

Ndërsa, ai ka përmendur edhe shtesat në paga për punëtorët shëndetësorë, zyrtarët policorë e inspektoratin.

Haxhiu ka thënë se Qeveria ua ka borxh atyre edhe 6 shtesa.

“Në nivel të detyrës rrezikuan shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Shumë nga ata kanë qëndruar larg familjeve të tyre. Ndonëse punëtorët shëndetësorë dhe policia inspektorati kryen me ndershmëri punën e tyre, qeveria ua ka ndal shtesat në pagë që ua garanton ligji për luftimin e pandemisë. Qeveria ia ka paguar shtesat për 10 muaj, ua ka borxh edhe 6 muaj. Qeveria e ka për detyrim të përmbush detyrimet ligjore që dalin nga ligji”, ka shtuar ai.

Tutje Haxhiu ka përmendur edhe mungesën e insulinave.

Ai ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë që nuk ka siguruar insulina për qytetarët.