Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga Këshilli i Prindërve që të gjejë një zgjidhje për grevën në arsim.
Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, i ka bërë ftesë Këshillit të Prindërve që të ftojnë në takim Qeverinë dhe SBASHK-un për të gjetur një zgjidhje rreth grevës në arsim.
Haxhiu ka thënë se Këshilli i Prindërve duhet të angazhohet seriozisht për këtë takim dhe të bëhet ndërmjetësues i tehkalimit të situatës dhe jo t’i shërbej ndonjërës palë.
Reagimi i plotë i Haxhiut, pa ndërhyrje:
Këshill i Prindërve me urgjencë ta ftojë në takim Qeverinë dhe SBASHK-un për të zgjidhur problemin e grevës në arsim.
Në situatën e krijuar ku Qeveria tregohet e paaftë për të zgjidhur problemin e grevës në arsim, atëherë Këshilli i Prindërve duhet të aktivizohet seriozisht për të organizuar takim të përbashkët të SBASHK-ut dhe Qeverisë për të ndërmjetësuar tejkalimin e situatës në dobi të nxënësve dhe mësimdhënësve.
Këshilli i Prindërve duhet të jetë në mbrojtje të interesave të nxënësve dhe jo palë në shërbimin të Qeverisë apo të SBASHK-ut.
Kjo situatë tashmë ka hyrë në fazë kritike, prandaj duhet të urgjentisht të zgjidhet. /Demokracia.com/







