Haxhiu: Kam kërkuar nga ministri i financave, që t’u ndahen shtesa edhe…

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi të bërë në Facebook ka dhënë një sqarim për zyrtarët korrektues që kanë qenë direkt të lidhur me zbatimin e masave kundër COVID – 19

“Të premten, Ministri i Financave, z.Besnik Bislimi, ka bërë të ditur shtesat që do t’i ndahen punonjësve shëndetësor, policëve dhe zjarrëfikësve.

Pas kërkesave të shumta nga zyrtarët e ShKK, po atë ditë i kam shkruar zyrtarisht Ministrit të Financave dhe kam kërkuar gjetjen e mundësive që edhe shërbimi korrektues të jetë i përfshirë në pakon e planifikuar”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje ajo thotë se ka kërkuar po ashtu nga drejtori i ShKK, raport për zyrtarët që kanë qenë direkt të ndërlidhur me zbatimin e masave kundër COVID në burgje.

“Pas dorëzimit të këtij raporti, të njëjin do ta përcjellë edhe në Ministri të Financave dhe së bashku do të shohim mundësitë e përfshirjes së tyre.

Personeli i shërbimit korrektues, deri tani ka qenë në krye të detyrës dhe ka qenë i përkushtuar për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të burgosurve prandaj do ta kenë mbështetjen time, jo vetëm tani por në vazhdimësi sepse në agjenden time legjislative ka qenë prioritet edhe procedimi në Kuvend i ligjit të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Fatkeqësisht atyre që nuk iu përshtatet përparimi, rrëzuan Qeverinë, duke tentuar të ndalnin edhe këtë ligj por edhe ligjin për administratën e sistemit të drejtësisë, atë të konfiskimit, vetingun dhe shumë reforma të tjera.

Por siç e dini, kjo është vetëm një vonesë të cilën do ta kapërcejmë së bashku”, përfundon ministrja.