Haxhiu: Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi para nesh, do të punojmë me nder

Ka përfunduar mbledhja e Qeverisë së Kosovës në të cilin janë marrë disa vendime.

Në konferencën për medie ka folur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Derisa Haxhiu ka folur për koncept dokumentin e miratuar sot për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, Kryeziu ka thënë se çështja e reciprocitetit me Serbinë nuk duhet ta frikësoj askënd.

Se kur do të nis së aplikuari sërish ky reciprocitet Kryeziu ka thënë se kurdo që do të merret vendimi do të ketë një njoftim.

“Reciprociteti është qëndrim parimor, ka qenë edhe sot edhe në të kaluarën, por vendosen parimet dhe në bazë të tyre ato shtrihen në një afat kohor për të cilën do të njoftoheni”, tha Kryeziu.

Ndërsa Haxhiu ka deklaruar se Qeveria Kurti është në dijeni me pritjet që kanë qytetarë dhe që do të punojnë me nder e përkushtim që besimin e dhënë ta arsyetojnë.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi para nesh, do të punojmë me nder, me përgjegjësi dhe profesionalizëm”, tha Haxhiu.

Haxhiu po ashtu ka thënë se ka pasur takim me prokurorët special, dhe ata kanë shprehur nevojën për ndryshime, pra ndryshimi që është propozuar sot në qeveri dhe ka për qëllim që prokuroria speciale të nis hetimin serioz të krimeve të luftës,

“Siç e dini për tu shpallur një person që të gjykohet në mungesë duhet së paku 5 herë të kërkohet nga shteti ku ndodhet. Ju e dini telashet me shtetin Serb që nuk na përgjigjen. Prokuroria speciale ka konsideruar prandaj e kemi hequr kufizimin pesë herë, prandaj e kemi hequr këtë kufizim”, tha Haxhiu.