Haxhiu e Tahiri përplasen në Kuvend: Që sa kohë në pushtet nuk ju ka ra ndërmend për t’i hetuar kriminelët e luftës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar LVV-në dhe qeverinë për ndryshimet në Kodin Penal e ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë për krimet e luftës.

Ai tha se ky gjykim duhet të vlejë edhe për vepra të tjera penale.

“Gabimin që e ka bërë VV-ja në vitin 2019 po mundohet që ta përmirësoj sot, por ky është një gabim i radhës që po e bën sepse e kemi propozuar edhe në atë kohë ku ka kaluar në lexim të parë Kodi i  Procedurës Penale, ku është gabim që të ndalemi dhe ta specifikojmë dhe të kufizohemi në gjykimin në mungesë vetëm në krimet e luftës. Pra gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për veprat e tjera që për rendin tonë për sundimin e ligjit është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri.

Më tutje deputeti i PDK-së, deklaroi se me ndryshimet që janë propozuar sot nga ministria e Drejtësisë nuk mund të hetohet edhe vrasja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

“po ja rikujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herrët që do të kërkojnë që policët që i kanë  kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Kosovës në vitin 1007 të gjykohen dhe të dënohen në mungesë. Po i them që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini se çfarë po propozoni”, tha ai.

Ndër të tjera Tahiri e kritikoi Haxhiun edhe për prezantimin e këtyre ndryshimeve.

“Prita një prezantim më të qartë nga ministra e drejtësisë, por kjo më shumë foli për kronologjinë se çfarë ka bërë kryeministri Hoti e më radhë”, deklaroi Tahiri.

Ndaj këtyre deklaratave të Tahirit, është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Spo e di Abelard kur po e lexon fjalimin a më ke dëgjuar paraprakisht se çfarë kam thënë ose pavarësisht se çfarë kam thënë unë ti prapë qëndron prapa fjalimit që e ke shkruar. Shumë prej çështjeve që i adresove unë edhe i pata në fjalim, kështu që  ke mundur me e shpenzu kohën për çështje të tjera”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se para dy vitesh kanë bërë diçka për të u gjykuar kriminelët e luftës.

“Është një çështje që du me adresu sërish. Thatë ju që gabimin që e keni bërë para dy viteve po doni me rregullu tash. Kjo nuk qëndron. Të paktën ne para dy vitesh kemi bërë diçka që me u gjyku kriminelët e luftës. Ju që sa kohë keni qenë në pushtet nuk ju ka ra ndërmend me i hetu kriminelët e luftës”, ka thënë ai.

Më tutje Haxhiu i tha ish-ministrit të Drejtësisë, që ka qenë gabim i tij që nuk i ka sjell në të njëjtën kohë në Kuvend edhe Kodin Penal edhe atë të Procedurës Penale.

“As 2% e totalit buxhetor nuk është shpenzuar për organet e drejtësisë. Gabim i joti ka qenë në atë kohë që Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale nuk e ke sjell në të njëjtën kohë. Nuk ka asnjë logjikë që në Kuvend me ardh Kodi Penal dhe jo ai i Procedurës Penale”, ka thënë ajo.