Haxhiu e kujton prokurorin Elez Blakaj: Pa Vetting s’ka prokurorë me integritet, mund të ketë rezistencë sepse dikujt i konvenon kjo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka insistuar se pa Vettingun nuk mund të ketë drejtësi funksionale në vend. Duke raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Europiane, Haxhiu përmendi largimin nga Kosova të ish-prokurorit Elez Blakaj, ndërsa tha se me qeverinë aktuale raste të tilla nuk do të përsëriten, shkruan Express.

Haxhiu tha se prokurorët nuk kanë pasur vullnet për t’i trajtuar siç duhet rastet e mëdha të krimit dhe korrupsionit. Ajo tha se “do të ketë probleme në qoftë se do të kemi institucione që nuk e kryejnë detyrën e tyre”.

“Ne jemi duke u munduar që përmes procesit të Vettingut të kemi prokurorë dhe gjyqtarë me integritet që nuk ndikohet nga askush”, tha ajo.

“Në të kaluarën, sidomos në rastin e veteranëve, ju e dini, ne kemi pasur hapur ndikime te prokurori Elez Blakaj, i cili fatkeqësisht u detyrua që ta lëshojë vendin dhe të largohet nga Kosova”, theksoi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se nuk beson se pa Vettingun mund të ketë veprime serioze në rastet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

“Mund të ketë rezistencë sepse dikujt po i konvenon këtë gjendje, mirëpo neve jo. Ne do të punojmë derisa ta kemi shtetin e së drejtës”, tha ajo.