Haxhi Avdyli pas përjashtimit: Isa Mustafa dhe Agim Veliu nuk do të guxojnë të kandidojnë në zgjedhje

Deputeti Haxhi Avdyli, u shkarkua dje nga të gjitha funksionet që bartte brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Aii tha se ky ka qenë një vendim i panevojshëm. Sipas Avdylit, lideri i LDK’së, Isa Mustafa dhe nënkryetari Agim Veliu janë “ndotësit më të mëdhenj të skenës politike”.

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka marrë dje vendim për ta shkarkuar deputetin Haxhi Avdylin nga të gjitha funksionet e partisë në Prizren. E këtë vendim Avdyli e ka parë si të panevojshëm. Kjo pasi që sipas tij edhe ai vet pati vendosur që të mos kërkojë vota nga “njerëz të ndershëm të LDK’së, për lojëra të pandershme të Isa Mustafës”.

“Unë e kam parë këtë vendim si të panevojshëm sepse ashtu kështu pata vendosur që të mos jem pjesë e një liste ku do të kërkoja vota nga njerëz të ndershëm të LDK-së për t’i i dorëzuar ato vota te lojërat e pandershme të Isa Mustafës”, ka potencuar Avdyli.

Sipas Avdylit, kreu i partisë Isa Mustafa dhe nënkryetari Agim Veliu, janë ndotësitë më të mëdhenj të skenës politike.

“Ka edhe emra tjerë të niveleve më të ulëta por personi i cili e ka sjell në fund LDK’në dhe është përçarësi më i madh i cili ka linçu, ka fyer njerëz është Agim Veliu, siç ishte rasti edhe i djeshëm dhe mendoj që sa më shpejt që qytetarët të vendosin që këta klan prishës, këta ndotësit të skenës politike t’i dënojë me votë atëherë është në të mirë edhe të LDK’së edhe të Kosovës”, ka thënë më tutje ai.

Madje, Avdyli ka dyshime se Mustafa dhe Veliu do të garojnë në listën zgjedhore për deputet. Kjo pasi që sipas tij nuk kanë guxim për shkak se ka humbur besimi i elektoratit në ta.

“Unë kam dyshime shumë të mëdha që këta duke e ditur që as votën e LDK’së nuk marrin, të dy nuk kanë me guxu as me dal në zgjedhje dhe në listat për deputet. Këta e dinë që edhe në listat për deputet të LDK’së kanë me marrë vota të papërfillshme”, ka deklaruar ai.

Tashmë ish-anëtari i LDK’së, deklaroi për Express, se elektorati i ka kuptuar lojërat që i bëjnë krerët e partisë.

“Këta rrinë në breg dhe i fusin disa djem e vajza për të mbledhur vota dhe pastaj ato vota duhet ti dorëzojnë atyre që ata të bëjnë manipulime e gjëra të tjera. Këto gjëra edhe votuesi i LDK’së e ka kuptuar që më nuk ka lojëra të tilla”, ka pohuar ai.

Për sa i përket listës së re zgjedhore të Vjosa Osmanit, Avdyli theksoi se ka për çdo ditë njerëz që lajmërohen për t’iu bashkuar kësaj iniciative.

Sipas tij tani Osmani është duke përfaqësuar kauzën e vërtetë të LDK’së.

“Po ka çdo ditë që lajmërohen njerëz të cilët janë të zhgënjyer me këto lojëra politike të Isa Mustafës, Agim Veliut e të tjerëve dhe çdo ditë e më shumë po e përqafojnë opsionin politik të cilën e përfaqëson zonja Osmani. Çdo ditë e më shumës po i bashkohen kësaj kauze politike. Vjosa Osmani e përfaqëson atë kauzën e vërtetë të LDK’së, të 6 tetorit, të gjitha atyre premtimeve që ishin atëherë dhe që janë edhe sot”, ka thënë ai, për Express.

Përveç Avdylit janë liruar nga detyra edhe dy anëtarët e kryesisë, Arsim Berisha, Artan Hoxha dhe kryetari i nëndegës së LDK-së në Landovicë, Fadil Berisha, të cilët i janë bashkuar iniciativës “Guxo” të Vjosa Osmanit.

Kujtojmë që pakënaqësitë e Avdylit ndaj LDK’së kanë filluar në kohën kur kjo parti mori vendim për ta larguar nga funksionet e partisë Vjosa Osmanin. Avdyli i doli në mbështetje Osmanit, duke konfirmuar kështu edhe pjesëmarrjen në iniciativën e saj për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen së shpejti.