Nait Hasani, deputeti i PDK-së, thotë se iu kërkua të votonte këtë gjykatë, megjithëse sipas tij, ai ishte kundër themelimit të një gjykate që do ta gjykonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë deklaratë, Hasani e bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, derisa shtoi se themelimi i Speciales u bë nga një presion i përballueshëm i ndërkombëtarëve.
Ndër të tjera, ai potencon se punimet në Gjykatën Speciale në Hagë është dashur të ndalen në momentin që u konstatua që nuk ka elemente të trafikimit të organeve, çështje për të cilën, sipas tij, edhe u formua kjo gjykatë.
“Të kthehesh 10 vjet prapa, është bukur shumë kohë, por ngjarjet të cilat i përjetojmë përditë, edhe në ditët e sotshme, janë aktualet, pikërisht para 10 vjetëve kur kanë filluar. Gjykata Speciale nuk ka filluar më 3 gusht 2015, por ka filluar nga 2011-ta. Atëherë nga raporti i Dick Marttyt. Tani nga Asambleja Parlamentare. Por nga viti 2014 e merr formën e prerë. Ne nuk kemi gjetur elemente të trafikimit të organeve, por ka elemente për trajtimin jo të drejtë gjatë luftës. Këtu është dashur të kuptohej drejtë çështja atëherë, dhe të mbyllet. Sepse kërkesa ka qenë për trafikim organesh, sepse gjykatat tona kanë gjykuar mjaftueshëm për krime lufte”.







