Hasani: Presidenti rol ceremonial, s’mund të nënshkruajë marrëveshje

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur dje antikushtetues Delegacionin Shtetëror për Bisedime, i cili bashkudhëhiqej nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, ka thënë se vendimi për Delegacionin Shtetëror dëshmon se presidenti Hashim Thaçi nuk ka të drejtë për ta kryesuar procesin e dialogut.

Teksa ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ish-kryetari i kësaj Gjykate, Enver Hasani, ka thënë se vendimi për ta shpallur antikushtetues Delegacionin Shtetëror dëshmon se presidenti nuk ka të drejtë për ta kryesuar procesin e dialogut.

“Gjykata e ka vërtetuar 100% dhe në mënyrë jashtëzakonisht të qartë atë çfarë është ditur dhe çfarë është standard kushtetues i Kosovës, që shefi i shtetit nuk ka çka kërkon në dialog me Serbinë”, ka theksuar Hasani për “Zërin”.

Kushtetuta, sipas tij, pohon se kryeministri është ai i cili duhet ta drejtojë një proces siç është ai i negociatave me Serbinë, por assesi kryetari i vendit.

“Kushtetuta ka qenë dhe është e qartë se shefi i shtetit nuk mund të udhëheqë dialog të natyrës çfarë është synuar të udhëhiqet me Serbinë. Presidenti ka vetëm funksion ceremonial, por nuk mund të udhëheqë dialog ose të nënshkruajë marrëveshje që lidhen me sovranitetin politik dhe territorial të shtetit”, ka shtuar Hasani.

Ndërkaq Florent Spahija, zyrtar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se vendimi i Kushtetueses tregon se politikën e jashtme e bën ekzekutivi, porse në konsultim me kreun e shtetit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese tregon që për politikë të jashtme vendos Qeveria e Republikës së Kosovës në konsultim me presidentin e Republikës së Kosovës. Pra kryeministri konsultohet me presidentin, por politikën e jashtme e bën Qeveria”, është shprehur Spahija.