Hasani: Asnjë nga partitë politike nuk mund t’i marrë mbi 50 për qind të votave

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani, ka thënë se në muajin janar ose shkurt do të jetë e vështirë që të mbahet një proces zgjedhor fer dhe të drejtë.

Hasani në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se pret që rezultati i zgjedhjeve të jetë pothuajse i njëjtë.

Sipas tij asnjë nga partitë nuk ka mundësi të marrë mbi 50 për qind të votave për shkak të sistemit zgjedhor.

“Do të jetë problem që në janar- shkurt të mbahen zgjedhje fer dhe të drejta. Ani, kur në ora 5 behët natë. Unë për vete e kam vështirë ta konceptoj drejt. Rezultatet do të jenë plus minus i njëjtë”.

“Zoti e di sesa do të zgjasë konstituimi i organeve. E vetmja zgjidhje është që të ulet pragu në 1 për qind që të kemi një balancë, që të bëhet më e parashikueshme. Ulja e pragut zgjedhor do të prodhonte 10 deputetë “king makers” në Kuvend dhe jo kafeneve dhe restauranteve duke ngrënë dhe duke pirë”.

“Sistemi proporcional zgjedhor është e vështirë që një parti politike të marrë mbi 50 për qind të votave. Është vështirë. Në muajin shkurt terr bëhet në ora pesë. Është vështirë që të menaxhohet një proces të drejt të votimeve”.

“Nuk është hera e parë që vota e qytetarit është vjedh. Plus edhe pandemia. Njerëzit në këtë kohë pritojnë me dalë për të votuar. Pandemia edhe ora policore apo kufizimi i lëvizjes. Është e vështirë”.

Ish-kreu i Kushtetueses foli edhe për mbetjen me ushtrues detyre të disa nga institucioneve kryesore.

Hasani theksoi se kemi treguar se asnjë institucion nuk kemi qenë të zotë ta krijojmë pa ndihmën e ndërkombëtarëve.

Sipas tij kryeministri në detyrë dhe ushtruesja e detyrës së presidentës, duhet të caktojnë drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës në afat prej 30 ditësh.

“Unë mendoj që është keq do të thoja tragjike që miqtë tanë ndërkombëtar nuk po na ndihmojnë. Ne nuk kemi pasur një traditë në shtetndërtim. Ne kemi treguar fuqishëm se asnjë institucion nuk kemi qenë të zotë të krijojmë pa ndihmën e tyre. Sapo janë kosovarizuar ato institucione janë barbarizuar”.

“Unë besoj që parametrat kryesor kanë lëvizë në gjeostrategji. Përpjekja e faktorit ndërkombëtar është që Serbia të merret nga Rusia dhe këtë Serbia po e eksploaton në masë të madhe dhe ne nuk po marrim vëmendjen e duhur. Jemi në mëshirën e vetvetes’.

“Për AKI, afat i caktimit është 30 ditë. Duhet që brenda afatit ligjor do të duhej të zgjidhej nga Ushtruesit e detyrës edhe presidentja dhe kryeministri. Ashtu ka bërë edhe Ramushi. Është afat ligjor. Nuk kemi çfarë të bëjnë”.