Leon Hartwell

Hartwell: Llogaridhënia për mizoritë e luftës në Kosovë qëndron mbi supet e Vuçiçit

Leon Hartwell, studiues i lartë në London School of Economics (LSE) në Britaninë e Madhe, ka thënë se perëndimorët duhet t’i rishqyrtojë marrëdhëniet e tyre me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, instinktet e të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, përgjegjës për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Ai gjithashtu u shpëtoi pasojave pasi shërbeu si ministër i propagandës së Millosheviçit gjatë Luftës së Kosovës, një konflikt që rezultoi në mbi 13 mijë vdekje dhe shpërngulje të mbi 1.2 milionë shqiptarëve të Kosovës. Imagjinoni për një moment sikur Joseph Goebbels të ishte bërë kancelar i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore nën një fasadë liberale”, ka theksuar ai.

“Përkushtimi i Vuçiçit ndaj së vërtetës dhe llogaridhënies përbën një precedent të rëndësishëm […] Prandaj, përqafimi i së vërtetës për mizoritë e së kaluarës nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe një hap praktik drejt sigurimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar Hartwell në një artikull të fundit autorial.

Pavarësisht trashëgimisë së errët dhe rolit të Vuçiçit në nxitjen e urrejtes dhe tensioneve në rajon, ka shtuar ndër të tjera ai, presidenti serb vazhdon të portretizohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) si një forcë demokratike stabilizuese.