Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në mbledhjet e Këshillave të Përgjithshëm të degëve të AAK-së në Klinë dhe Suharekë, janë propozuar për mandate të reja dy kryetarët aktualë: prof. Zenun Elezaj në Klinë dhe Bali Muharremaj në Suharekë.
Haradinaj vlerësoi qeverisjen e Aleancës në këto dy komuna si model të mirëfilltë të zhvillimit dhe menaxhimit efikas.
“Për kohën që iu dha besimi Aleancës për të qeverisur Klinën, në krye me prof. Zenun Elezaj, kësaj komune i ofruam një qeverisje për t’u marrë shembull, që shpeshherë është përmendur si model edhe nga qytetet e tjera. Kryetari, prof. Zenun Elezaj, me ekipin e tij të përkushtuar, i ka dhënë shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit dhe përparimit të komunës,” shkroi Haradinaj.
Në të njëjtën linjë, ai përmendi edhe suksesin e qeverisjes në Suharekë:
“E njëjta frymë qeverisëse është ndërtuar edhe në Suharekë, ku nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, qytetarët kanë përjetuar një transformim të dukshëm në shërbime, infrastrukturë dhe zhvillim të përgjithshëm. Sot, Këshilli i Përgjithshëm i Degës së Aleancës në Suharekë ka propozuar Kryetarin Muharremaj për një mandat të ri katërvjeçar, si vazhdimësi e një lidershipi që ka dëshmuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete.”
Sipas Haradinajt, komunat që drejtohen nga Aleanca kanë dëshmuar standard të lartë të qeverisjes së mirë, të ndershme dhe të përgjegjshme.
“Kjo traditë do të vazhdojë jo vetëm aty ku tashmë qeverisim, por edhe në komunat tjera, ku qeverisja jonë po shihet gjithnjë e më shumë si zgjedhja e duhur për zhvillim,” përfundoi ai.







