Haradinaj viziton disa biznese në Pejë (FOTO)

Kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në qytetin e Pejës, ku ka bërë vizitë nëpër disa biznese.

I pari i ekzekutivit ka vizituar birrarinë Peja.

“Birra Peja është brend gjysmëshekullor i Kosovës. Në një vizitë pune në këtë kompani u njoha për së afërmi me kapacitetet prodhuese, si dhe me parametrat e saj në tregun vendor dhe ndërkombëtar, ka thënë Haradinaj përmes Facebook.

“Vendosmëria për ta avancuar shijen dhe kualitetin e saj është për admirim. Sot, falë kësaj pune kemi një produkt që ruan traditën familjare dhe vendit i sjellë miliona të hyra dhe rreth njëmijë të punësuar e të kontraktuar. Viti i Ekonomisë nisi për së mbari, me fillimin e projektit madhor të pavarësimit energjetik të vendit, si hyrje në etapën e një revolucioni të rritjes ekonomike. Përkrahja e Qeverisë për prodhuesit e mëdhenj, si Birra Peja, do të jetë e vazhdueshme në krijimin e kushteve dhe lehtësirave fiskale për zhvillimin dhe plasimin e produkteve të tyre”.

Haradinaj ka vizituar edhe fabrikën e mishit “Buquku”.

“Nuk ka rast më të mirë të inkurajohen prodhuesit vendor, që të vazhdojnë më ngulm të rrisin prodhimtarinë me cilësi të garantuar dhe konsumatorët që në tryezë të kenë sa më shumë produkte vendore, se sa nga kompania e përpunimit të mishit “Buquku””, ka shkruar Haradinaj.