Haradinaj uron presidenten e KE-së, thotë se dialogu me Serbinë duhet rë rifilojë pa kushte

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur votimin e Ursula von der Leyen, Ministres aktuale të Mbrojtjes së Gjermanisë, për pozitën e Presidentes së Komisionit Evropian.

“Kam besim të plotë që Komisioni Evropian nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj se Komisioni Evropian do të intensifikojë përpjekjet si pjesë të politikës së zgjerimit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje thotë se është i bindur se zonja Ursula von der Leyen do t’i qëndrojë besnike qëndrimit, për një Evropë unike dhe të fuqishme.

“Republika e Kosovës, me gjithë specifikat dhe sfidat e saj, është e përkushtuar që të jetë kontribuese modeste dhe vlerë e shtuar përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar në fund Haradinaj. /Ballkani.info/

loading…