Haradinaj: Unë dhe AAK të gatshëm të jemi aleatë të Kurtit në betejën politike me Serbinë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se kryeministri Albin Kurti e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë.

Haradinaj thotë se Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet.

Haradinaj pohon se ai dhe AAK-ja janë të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jenë aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojnë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit.

Postimi i tij:

UNITET E JO TËRHEQJE PËRBALLË SERBISË

Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare.

Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës.

Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet.

Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja.

Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë.