Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të naftës në Kosovë, ku ka thënë se ky është dëmtim financiar i padrejtë i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është i patolerueshëm.
Kryeministri Haradinaj ka dalë kundër rritjes së çmimit të naftës në Kosovë dhe ka thënë se kjo po bëhet nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë.

“Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët.

“Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!”, ka shkruar Haradinaj.

Kjo gjendje alarmuese ka çuar në dyshime se në mes të ndërmarrjeve ka pasur një marrëveshje të fshehtë për mbajtjen e çmimeve mbi nivel.

Skandaloze luhatjet e çmimeve në tregun e naftës po konsiderohen edhe nga deputetët e Komisionit për Tregti. Duke folur për Express, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj anëtar i këtij komisioni thotë megjithatë se pak ka gjasa që kjo temë të diskutohet në komision.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në një hulumtim që pati bërë për tregun e naftës kishte hasur tre kompani me pozitë dominuese në treg e për këtë i ishin dërguar Ministrisë së Tregtisë disa rekomandime.

Në këtë periudhë në botë, çmimi mesatar i naftës është 1 dollar për litër, ndërkaq, Kosova po figuron në vendet ku për një litër naftë paguhet më së shumti. Sa kosovarët po paguajnë edhe në Singapor, Luksemburg e Lituani