Haradinaj tregon se çfarë u diskutua në takimin me deputetët gjerman

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Berlin, kishte një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Haradinaj ka shkruar në Facebook, se me deputetët gjerman kanë biseduar për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë.

“Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv. Roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë”, ka shkruar ai.