Haradinaj tregon nëse do të ketë destabilizim të gjendjes në veri

Pas deklarimeve të kreut të Mitrovicës, Agim Bahriti, se nëse ndahet Mitrovica, do të ketë luftë që nuk është parë deri më tash, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se tashmë janë mësuar me deklarimet e tilla të Bahtirit dhe se nuk sheh tendenca të destabilizimit të gjendjes në veri.

“Të vetmin rrezik që e shoh janë planet për tregti me territor. Tek akterët e brendshëm nuk shoh rrezik. Trepça është aty, është e të gjithëve, u jepet mundësi edhe minoriteteve”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga rezervat e shtetit, 50 mijë euro për Aritë Sylejmanin, e cila ka nevojë për shërim jashtë vendit.

Gjithashtu sot është kualifikuar investitori i parë strategjik, ku qeveria ka marrë vendim për dhënien e statusit investitor strategjik për subjektin investues Sowi Kosovo L.L.C.

Ekzekutivi ka miratuar edhe propozim-vendimin për të kërkuar nga presidenti i Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka votuar në favor të nismës për aderimin e vendit tonë në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.