Kryeministri

Haradinaj thotë se një ditë do të tregojë se për çfarë ishte i acaruar në seancën solemne

Vetëm 24 orë pasi u kap nga kamera duke i shqiptuar këto fjalë në Kuvend, kryeministri Ramush Haradinaj nuk mban mend shumë nga seanca festive.

Në Gllogjan, vendlindjen e tij, Haradinaj ka thënë se nuk i kujtohet se për kë dhe çka kishte thënë të dielën, kur kishte përdorur fjalë fyese.

Haradinaj nuk ka pranuar se nervozizmi që e shfaqi gjatë fjalimit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, kishte të bënte me të.

Por, shkurt kur është pyetur për këtë, ndër të tjera, ka thënë se një ditë do ta bëjë të ditur se për çka ka qenë i acaruar, raporton KTV.

Kryeministri, gjatë homazheve që ka bërë në kompleksin memorial në Gllogjan, ka thënë se derisa të jetë ai në krye të Qeverisë, taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se shteti serb nuk është në pozitë që të vendosë kushte në dialog.

Ai ka thënë se si pasojë që vendi është drejtuar nga udhëheqës të dobët, tash po kërkohet të jepet diçka në këmbim të njohjes.

Haradinaj ka thënë se çështja e marrëveshjes me Serbinë është e hapur dhe se ajo duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues që ka Kosova.

Raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, Haradinajt e Veselit janë acaruar kohëve të fundit shkaku i qëndrimeve të kundërta rreth taksës.