Haradinaj thotë se AAK synon t’i fitojë 12 komuna në zgjedhjet e tetorit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shpreson që vëllai i tij, që njëkohësisht është kandidat i kësaj partie për postin e të parit të Prishtinës, Daut Haradinaj do të arrijë që të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin e ardhshëm.

Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës ai tha se meqenëse është arritur të bëhet ligji për kryeqytetin, tani Prishtinës i duhet një menaxher i mirë që ta nxjerrë prej problemeve dhe se këtu, siç tha, përputhet kandidatura e Haradinajt.

“Ka një program të mirë. Shpresoj që do t’i japin besimin qytetarët. Mendoj që mundësia është reale që Dauti me qenë në balotazh. Nuk është projekt i lehtë, është sfidues, por mbaj shpresë që shkojmë në raund të dytë dhe shpresoj që Prishtina do t’i bashkohet një modeli qeverisës të suksesshëm, siç kanë bërë kryetarë të AAK-së në komunat tjera”, deklaroi ai.

Udhëheqësi i AAK-së gjithashtu siguroi që në këto zgjedhje do të dalin të suksesshëm, duke thënë se gjashtë komuna i kanë të fituara dhe se as që kanë arsye të diskutojnë për këtë, por që synon t’i fitojnë edhe gjashtë të tjera.

“Pas raundit të parë, aty ku nuk jemi ne në raund të parë, jemi të interesuar që ta vazhdojmë betejën për një qeverisje të mirë për secilën komunë, dhe aty ku nuk do të jemi në garë”.