Haradinaj thirrje ministres së Jashtme: Të publikohen emrat e të gjithë pjesëtarëve të shërbimit diplomatik të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i ka bërë thirrje ministres së Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, që t’i bëjë publikë emrat e të gjithë pjesëtarëve të shërbimit diplomatik të Kosovës dhe lidhjet e tyre familjare e partiake.

Këtë thirrje e ka postuar në profilin e tij në Facebook.

“I bëj thirrje Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që t’i bëjë publik emrat e të gjithë pjesëtarëve të Shërbimit Diplomatik të Kosovës dhe lidhjet e tyre familjare dhe partiake”, shkruan Haradinaj.

Këtë koment Haradinaj e ka bërë pasi që nga mbrëmë po komentohet shumë emërimi i djalit të Haxhi Shalës, Flakronit në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Çeki.

Shumë besojnë se emërimi i tij në këtë pozitë ka ardhur si shpërblim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për deputetin, të cilin duke i shkuar së bashku në shtëpi, vetëm vonë pas mesnates së 3 qershorit, kishin arritur ta bindnin që disa orë më pas ta votonte Qeverinë e re të Kosovës. Vota e Shalës ishte e 61-ta dhe vendimtarja për formimin e Qeverisë pak para mesditës.