Pasi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka mbledhur kryesinë e partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nga ku ka bërë të ditur se sot i është konfirmuar ftesa për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
Ai tha se ka qenë dy herë në gjykata ndërkombëtare, derisa theksoi se e çmon nderin e tij personal. Haradinaj u shpreh se nuk ka dashur që atje të shkojë si kryetar i Qeverisë, prandaj edhe ka dhënë dorëheqje.
“I njoftova kolegët e Aleancës, partinë që e udhëhiqi për dorëheqjen, për arsyet dhe për atë çka na pret sipas meje, pra motivin e dini, jam i ftuar si i dyshuar në Gjykatën e re tash që është formuar për intervistim. Kjo do të ishte shumë e rëndë me shkua si kryetar i Qeverisë, pra do të ishte një poshtërim edhe i Kosovës, edhe i nderit të kryetarit të Qeverisë me u paraqitë para hetuesve. Shkoj si qytetar, pra si kryeministër në dorëheqje. Kuptohet unë kam qenë dy herë në gjykata ndërkombëtare, pafajësinë time e çmoj e respektoj nderim tim personal, do t’i përgjigjem këtyre shpifësve, nderin e luftëtarit shqiptar. Ata që nuk besojnë që luftëtari shqiptar e ka nderin, iu siguroj që e ka, ka me e pas gjithë”, tha ai.
Ai bëri të ditur se sot e ka pranuar zyrtarisht ftesën për intervistim dhe ka marr vendimin për të dhënë dorëheqje.“Ftesa është e konfirmuar sot, është definitive. Nuk e di, qëndrimet politike të mia janë të qarta, Kosova nuk mundet, nuk e përballon dot pra si çmim për njohje ndarjen, pra dhënien e territorit Serbisë, apo edhe një asociacion me kompetenca ekzekutive të tipit të republikës Dodik, se ajo na e bjen Rusinë në Kosovë. Kuptohet Kosova është e gatshme për një dialog pa kushte me Serbinë edhe një marrëveshje për njohje do të nënkuptonte edhe tregtinë e lirë, pra tregun e Kosovës. Pra, tregu për njohje edhe pajtimi”, tha ai.
Tashmë kryeministri në dorëheqje u shpreh se Kosovën askush nuk mund ta nënshtrojë.“Unë pjesën ligjore do t’i përgjigjem si e parasheh obligimi ligjor, pra çdo gjë do ta kryej si obligim. Për pjesën politike nuk mundet ta nënshtrojë askush Kosovën, nuk ka mundur Milloshevici me 500 mijë njerëz që i ka shti në burg, as të vrarë. Kushdo që kujton që e detyron Kosovën me veprua kundër interesit të vet, e kanë gabim, do ta mësojnë këtë me kohë”, tha ai.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ai tha se i ka propozuar presidentit që vendi të shkojë në zgjedhje. Sipas tij mandati është më i sigurt tek populli në këtë rast.
“Presidenti i ka kompetencat e veta, unë i kam propozuar dhe i kam kërkuar presidentit që vendi të shkojë në zgjedhje. Mandati është më i sigurt tek populli në këtë rast, pra me ia kthye popullit, populli le të vendos pastaj, qytetarët si të veprohet. E kam thënë po ashtu se do të garoj, do të ofrohem me ato pikëpamje qeverisëse, programore, për të ardhmen dhe do ta respektoj verdiktin e popullit”, tha ai. Ani nuk ka dhënë detaje se kur do të udhëtojë për në Hagë, duke thënë se do të informojë një ditë tjerët.






