Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci, diskutohet për bashkëpunim mes dy vendeve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë kësaj vizite, ministrja Haradinaj-Stublla, do të realizojë takime të nivelit të lartë, në të cilat do të diskutohet për intensifikimin e bashkëpunimit dhe lidhjes së fortë që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Takimin e parë zyrtarë bashkë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Tahiri, shefja e diplomacisë kosovare do ta ketë me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Pas këtij takimi, Ministrja Haradinaj-Stublla, do të pritet në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Grliq Radman.

Para nisjes për vizitë zyrtare në Kroaci, ministrja Haradinaj-Stublla, tha se “Kroacia dhe Kosova ndajnë historinë e hidhur të rrugëtimit për liri dhe pavarësi. Kanë pasur përjetime të njëjta si vende dhe popuj.

 Edhe sot, përderisa Kosova po përballet me qasje revizioniste të vuajtjeve dhe historisë së saj, ka shumëçka për të mësuar nga Kroacia si vend dhe popull fitimtar ndaj luftës në Ish-Jugosllavi, e tash si shembull i mirë në rajon për integrimin Euro-Atlantik”.