Haradinaj-Stublla: Studentët e Luginës në Kosovë e mbajnë gjallë dhe fuqishëm lidhjen tonë kombëtare


Studentët e Luginës së Preshevës, adresë shkollimi gjithmonë e kanë pasur Prishtinën, të cilën traditë vazhdojnë ta kenë edhe sot.

Kështu tha të enjten Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj – Stublla në një takim që zhvilloi me studentët gjatë vizitës së saj zyrtare në Luginën e Preshevës.

“Ky rrugëtim i përbashkët, nisur nga kohërat më të vështira ka bërë që të mbahen gjallë dhe fuqishëm lidhjet tona kombëtare e kulturore. Kjo u ndje sot më shumë se kurrë”, tha Ministrja Haradinaj – Stublla.

Në këtë takim me studentë, kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se ka kuptuar se sa e madhe është dashuria për dije, shkollim dhe për Kosovën.

“Kuptova se sa shumë kanë pengesa me mosnjohjen e diplomave dhe punësimin, situatë kjo që do të trajtohet me prioritet nga Republika e Kosovës”.

Për ta vazhduar këtë rrugë të përbashkët, Ministrja Haradinaj – Stublla ka ftuar pesë studentë nga kjo anë që të nisin menjëherë punë praktike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Studentët e Luginës së Preshevës meritojnë prosperitet dhe të ardhme të sigurtë. Janë shpresa e këtij vendi”, tha shefja e diplomacisë së Republikës së Kosovës.