Haradinaj-Stublla rikujton në Ankara destruktivitetin e Serbisë karshi Kosovës

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi mes ministrave Çavuşoğlu dhe Haradinaj-Stublla është zhvilluar në Ministrinë e Jashtme të Turqisë në kryeqytetin turk, Ankara.

Haradinaj-Stublla pas takimit zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Kryediplomatja kosovare pasi rikujtoi se Turqia është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se gjithmonë ka mbështetur procesin e rindërtimit të vendit pas luftës, në emrët të popullit të Kosovës i shprehu homologut të tij turk ngushëllime për të vdekurit nga koronavirusi (COVID-19) dhe tërmeti që ndodhi në qytetin Izmir. Ajo tha se Kosova ndodhet pranë Turqisë.

“Falënderoj shumë Turqinë për solidaritetin që e tregoi me ne gjatë periudhës së pandemisë dhe këtij viti të vështirë, një solidaritet që ndonjë shtet tjetër s’e ka treguar”, tha Haradinaj-Stublla.

Ajo vlerësoi se bashkëpunimi i zhvilluar gjatë pandemisë ka dalluar të dyja vendet nga vendet tjera, duke potencuar se i besojnë mbështetjes së Turqisë në aspektin e sigurimit të qasjes në vaksinë.

Haradinaj-Stublla tërhoqi vëmendjen në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve që po vazhdojnë një kohë shumë të gjatë, ndërsa theksoi se Turqia gjithmonë ka qëndruar pranë Kosovës.

Kryediplomatja kosovare rikujtoi se Turqia është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se gjithmonë ka mbështetur procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.

Duke theksuar se ka nevojë për një Kosovë të fuqishme për të garantuar stabilitet, paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor, Haradinaj-Stublla tha se Kosova do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm në Ballkanin Perëndimor.

Haradinaj-Stublla e ftoi homologun e saj, Çavuşoğlu në Kosovë.

Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Haradinaj-Stublla deklaroi se Kosova mbetet e vendosur për të vazhduar dialogun dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e pazgjidhura me Serbinë me anë të mjeteve paqësore.

Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar se është një partner konstruktiv, i besueshëm dhe i përmbahet marrëveshjeve. “Por, Serbia fatkeqësisht nuk është bërë një partner që u përmbahet këtyre marrëveshjeve, parimeve dhe frymës së fqinjësisë së mirë”, u shpreh Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla tha se Serbia e cila dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), ka pasur disa veprime jokonstruktive të tilla si furnizimi i Armenisë me armë, ndërsa shtoi se Beogradi njëkohësisht vazhdon t’i blejë edhe sistemet sulmuese.

Sipas saj, kjo e vë Kosovën në një pozitë të vështirë si një vend fqinj.

“Ne zbuluam varreza masive, kjo me të vërtetë 21 vite pas luftës është një plagë shumë e dhimbshme për popullin e Kosovës. Përkundër këtij realiteti të mprehtë, Serbia ende vazhdon ta mohojë këtë. Ajo kërcënon me luftëra të reja të gjithë ata që duan të kenë një qasje konstruktive ndaj Kosovës. Jemi duke munduar të zhvillojmë dialogun Kosovë-Serbi me një partner shumë të vështirë”, theksoi Haradinaj Stublla.

Sipas kryediplomates së Kosovës, për këtë dialog nevojiten parime dhe kohë të caktuar. “Ne gjithashtu duam që Bashkimi Evropian si lehtësues, të përcaktojë dialogun me Serbinë. Sepse kaluan 10 vite dhe nuk kemi parë rezultate konkrete. Prandaj, mbështesim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që përfshin njohjen e ndërsjellë brenda kufijve aktuale dhe brenda kornizës kushtetuese që gëzon Kosova. Çdo zgjidhje që mund të arrihet jashtë këtyre parimeve nuk do të pranohet”, deklaroi kryediplomatja kosovare.

Çavuşoğlu dhe Haradinaj-Stublla gjatë takimit kanë nënshkruar dy marrëveshje përkatësisht; “Memorandum Mirëkuptimi për Krijimin e një Mekanizmi të Konsultimit Politik mes Ministrisë së Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës” dhe “Memorandum Mirëkuptimi për Shkëmbimin e Diplomatëve mes Ministrisë së Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës”.