Haradinaj-Stublla: Po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme

Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e kryediplomates dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një postim të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shprehur pakënaqësi për disa nga kolegët e partisë, duke thënë se ata e bëjnë AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar.

“Nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë! Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda.

Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”, ka shkruar ajo.