Haradinaj-Stublla: Kërkojmë nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se e dënojnë ashpër arrestimin e shtetasit kosovar, Agim Gjocaj, nga shteti i Serbisë.

Ajo bën të ditur se Gjocaj u arrestua në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë.

“MPJD kërkon nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. Po ashtu, theksojmë se akuzat e pretenduara ndaj tyre janë të pabaza, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht”.

“MPJD i bën thirrje Brukselit dhe shteteve të Grupit Quint, që të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd, që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, të ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik”.

Haradinaj-Stublla u bën thirrje shtetasve të Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht.