Haradinaj-Stublla e paraqet Vuçiqin te Trumpi: E shkeli marrëveshjen, s’është partner i besueshëm

Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj, në Twitter, duke e përmendur profilin zyrtar të presidentit Trump, është ankuar se Serbia po e shkel marrëveshjen e Uashingtonit dhe se shtetit serb nuk i zihet besë.

Haradinaj thotë se presidenti serb, Aleksandër Vuciq, po e shkel marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kosova po i përcjell me shqetësim veprimet destruktive të Vuciqit, që e po e shkel pikën 15 të marrëveshjes së Uashingtonit, të vëzhguar nga Presdenti i SHBA-së”, ka shkruar Haradinaj.

Ministrja e Jashtme thotë se Vuciq ka shkelur pikën e marrëveshjes, ku është zotuar se do të ndalë fushatën kundër Kosovës, pasi ai e falëndëroi diplomatin palestinez në Beograd për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Sot ai [Vuciqi] falëndëroi ambasadorin palestinez, Nabhan, për qëndrimin parimor në mosnjohjen e Kosovës. Fatkeqëisisht, Serbia mbetet partner që s’i zihet besë”, ka shkruar Haradinaj.