Haradinaj: S’mund të presim edhe 20 vjet, bashkohemi me Shqipërinë nëse s’na njeh Serbia

Lidhur me paralajmërimin për mbajtjen e referendumin për bashkim me Shqipërinë nëse Kosova nuk ka sinjale të qarta për anëtarësime ndërkombëtare duke nisur nga NATO-ja, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti ynë ka pritur tani për 20 vjet për të marrë vendin e duhur në familjen euro-atlantike, por Serbia ende po na bllokon dhe po ashtu edhe disa vende në BE të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin tonë të pavarur dhe sovran.

“Ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar dhe ende Kosova është e bllokuar. Ne nuk mund të presim edhe 20 vjet, ne i detyrohemi brezit tonë të ri të ecim përpara. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të kapërcejë bllokadën e Serbisë, ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë Haradinaj në “Pressing”.

Ai iu ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë që të bashkohen rreth kësaj ideja.

“Unë i ftoj të gjitha palët e Kosovës të bashkohen pas kësaj ideje, pasi ajo është mënyra e vetme reale për të arritur progres. Por kjo nuk është çështje e partive politike, vendimi do të merret nga qytetarët e Kosovës. Qoftë si President ose në opozitë – nëse nuk kemi zgjidhje të qartë për Kosovën deri në vitin 2025, unë do të inicioj këtë referendum dhe jam shumë i sigurt, se qytetarët do ta mbështesin këtë ide”, ka thënë Haradinaj. /Ballkani.info/