Haradinaj: Ramosaj s’ka pse ndalet se e ka nisë mirë, ai duhet t’i prijë Deçanit në sfida të reja zhvillimore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sonte në tubimin elektoral në Isniq, iu ka premtuar bashkëvendësve të tij se me fitoren e kandidatit për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj, kjo zonë do të shndërrohet në kryeqendër të turizmit në Kosovë.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se i gëzohet faktit se për katër vjet kanë pasur një kryetar të dinjitetshëm në këtë komunë.

Derisa në këtë tubim, Haradinaj tha se pavarësisht pengesave qeveritare, autostrada e Dukagjinit dhe rruga e Plavës do të bëhen realitet që i mundësojnë Deçanit të bëhet kryeqendër e turizmit malor.

“Ne si Aleancë do t’i përkushtohemi projekteve kapitale zhvillimore, sepse jo vetëm që lidhin ato rrugë komunat e Dukagjinit mes veti, por lidhin Dukagjinin me botën. Sot ka prodhues të Deçanit që çojnë prodhimet në tregun botërorë. Kështu autorruga na lidh me jetën dhe na mundëson thithjen e investimeve. Besoj shumë se në këtë mandat do të ketë investime për turizëm malor që Deçani të bëhet kryeqendër e turizmit dhe skijimit malor në Kosovë”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari aktual që synon edhe një mandat, Bashkim Ramosaj ka kërkuar besimin e qytetarëve të kësaj komune me moton “S’ka me u ndal”. Ai kujtoi para simpatizantëve të kësaj partie se ka përmbushur zotimet e dhëna për shkolla dhe infrastrukturë me standarde të larta, derisa tha se për mandatin e ardhshëm synojnë krijimin e kushteve për turizëm në Deçan.

“Nëse iu kujtohet tubimi përmbyllës, zotimi im ka qenë që do t’i bëjmë shkollat më të mira në Kosovë dhe këto shkolla janë më të mira në vend. Po ashtu, u patëm premtuar dhe zotuar që infrastruktura me cilësi do të përmbyllet me standarde të larta. Prej 318 kilometra asfalt, rrugë e rrugica të pa kryera i kemi përfunduar. Ndërsa, këtë mandat që po synojmë që Deçanin ta bëjmë kryeqendër të turizmit në Kosovë. Në këtë rrugëtim ka subjekte politike dhe përfaqësues të qeverisë që mundohen ta ndalin këtë rrugë, prandaj është vota jonë, s’do të ndalemi, sepse jemi në rrugën e drejtë”, tha Ramosaj.