Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngritur dyshimet se si do të bëhet llogaritja e faturave nga KESCO prej datës 9 shkurt, kur sipas tij, nuk është bërë asnjë vizitë në terren.

“Si do të bëhet llogaritja e faturave të KESCO nga data 9 shkurt, kur asnjë vizitë nuk është bërë me datën 8 shkurt nga ekipet e tyre (e kam fjalën për njehsorët që nuk mund të lexohen nga distanca). ZRRE për 800 kilovatët nuk specifikon se sa do të mirren nga tarifa e ulët e sa nga tarifa e lartë. Nëse vërtetë ekziston Avokati i Popullit në funksion të popullit, do të duhej të vihej në funksion menjëherë për këtë vendim arbitrar në dëm të qytetarëve e pa kurrfarë baze ligjore!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi më 8 shkurt faturat e reja me rritje – vetëm për një kategori të konsumatorëve – të cilat hynë në fuqi një ditë më vonë.

Te ky ndryshim erdhi pas rritjes së çmimeve të gazit në nivel botëror. Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo u detyrua të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta. Për pasojë, edhe autoritetet thanë se detyrohen të ndërhyjnë me rritje çmimesh.