Kreu i AAK-së

Haradinaj: Provova bashkëpunim serioz me Listën Serbe, por nuk e përballuan krijimin e ushtrisë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradina ka folur për bashkëpunimin që ka pasur me Listën Serbe. Haradinaj ka thënë se nuk e ka takuar Radojiçiqin në veri në shtëpinë e tij, por në një vend ku qëndrojnë Lista Serbe.

Deputeti i AAK-së thotë se ka provuar që të bashkëpunoj seriozisht me Listën Serbe, dhe qëllimi dihet që është shtrirja e juridiksionit të plotë në veri. Ai në FRONTAL thotë se me siguri do të kishin pasur sukses, por thotë se për fat të keq Lista Serbe nuk arriti ta përballoj krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj thotë se Lista Serbe kishte thënë që në ligjin për ushtrinë të futeshin pikat ku Ushtria s’ka të drejtë të shkojë në veri. Megjithatë Hardinaj thotë se Ligji nuk ka specifikimet të tilla dhe Lista Serba s’ka pranuar dhe ka shkuar rrugës së saj.

“E kam vizituar veriun disa herë. S’e kam takuar në shtëpi, por në një vend ku rrinë këta Lista Serbe. Unë kam provuar të bashkëpunoj sa më seriozisht me ta. Qëllimi dihet se cili është, pra shtrirja e juridiksionit të plotë në veri. Me siguri do të kishim arritur ndonjë sukses. Por për fat të keq Lista Serbe s’arriti me përballu krijimin e ushtrisë. Kam provu me i mbajt afër, me i bo pjesë. Jo i vetëm, kam punuar edhe me aleatët që Listën Serbe që ta mbajmë pjesë të institucioneve. Kemi rekrutu shtetas të Kosovës, kemi pasur brezat e parë të ushtarëve serbë të Kosovës. Por kur i dërgova Ligjet në parlament, kanë thënë që duhet me u përfshi ligjet që s’mund ta dërgoni në veri. E ligji për ushtrinë nuk bën specifikime. E ata në këtë rast thanë që kjo është e papranueshme dhe shkun rrugës vet”, ka thënë Haradinaj në frontal.