Haradinaj: Po pres shkresë zyrtare nga Veseli për ta shkarkuar edhe Agim Çekun

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se po pret një shkresë zyrtare nga kreu i PDK’së, Kadri Veseli, për lirimin nga detyra edhe të zëvendësministrit Agim Çeku.

Kjo pasi që emërimet e zëvendësministrave janë emërime politike, dhe si rrjedhojë Haradinaj tregon se atë mund ta lirojë nga detyra, pas një kërkese të Kadri Veseli.

“Sot kam liruar nga detyra, ministrin Besim Beqaj. Sepse ai vet e ka sjellë dorëheqjen. Nuk e kam liruar nga detyra, zëvendësministrin Ceku, po pres një shkresë zyrtare nga Kadri Veseli, si propozim për ndryshim. sepse janë emërime politike”, ka thënë Haradinaj.

Beqaj ka ofruar dorëheqjen pasi kreu i PDK’s, Kadri Veseli, ka vendosur për të larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK’së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.