Haradinaj përkujton 10 anëtarët e familjes Rama në Obiliq- Liria erdhi nga gjaku i tyre!

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka kujtuar dhjetë anëtarët e familjes Rama nga Obiliqi që u vranë 22 vite më parë nga forcat serbe.

Haradinaj ka kujtuar po ashtu edhe 180 martirë të lirisë që ranë në Fushë-Kosovë.

“Duke ndjerë dhembje të madhe, njëkohësisht jemi krenarë që sot kemi Ushtrinë që është e gatshme të ballafaqohet me secilin agresor, e të mos e lejojë asnjëherë të përsëritet historia jonë e përgjakshme” shkruan Haradinaj në Facebook.

Postimi i plotë:

Liria erdhi nga gjaku i tyre!

Në fundin e marsit 1999, aparati gjenocidal serb, ishte mobilizuar në tërë vendin, duke u hakmarrë ndaj popullatës së paarmatosur.

Kujtojmë sot martirizimin e dhjetë antarëve të familjes Rama në Obiliq.

Ne ditën e tyre përkujtimore, kujtojmë po ashtu, mbi 180 martirë të lirisë nga Fushë Kosova.

Në këtë datë të kobshme, egërsia barbare u shpërfaq edhe në lagjen Dardania dhe në tërë qytetin e Pejës.

Ndërkohë, makineria vrastare, në Malet e Berishës bombardoi zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radiostacionin “Kosova e Lirë”, me ç’rast ra dëshmor Elbasan Berisha.

Duke ndjerë dhembje të madhe, njëkohësisht jemi krenarë që sot kemi Ushtrinë që është e gatshme të ballafaqohet me secilin agresor, e të mos e lejojë asnjëherë të përsëritet historia jonë e përgjakshme.

Përgjithmonë të përulur para sakrificës së të rënëve për liri!
RH

(fotografitë janë nga arkivi)