Kreu i AAK-së dhe kandidati për president nga kjo forcë politike, Ramush Haradinaj, e ka komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e konsideroi atë të rrezikshëm.
“Nëse Vuçiq më konsideron të rrezikshëm, atëherë jam në rrugën e duhur (me një buzëqeshje). Jo, seriozisht. Vuçiq është bërë gjithnjë e më agresiv kohët e fundit – ai po kërcënon vendin tonë, ai përsëri kthehet në një kontekst që kam menduar se më e kemi tejkaluar. Ai po përdor vakumin në institucionet tona në Kosovë, po përdor çdo moment dobësie”, ka thënë Haradinaj në “Pressing”.
Sipas tij, kjo është arsyeja, pse një president i fortë është kaq i rëndësishëm për vendin tonë në këtë moment, transmeton Ballkani.info.
“Serbia po përpiqet të fitojë terren në konfliktin me ne dhe ne nuk duhet të heqim dorë as edhe një centimetër. Vuçiq nuk guxoi të kërcënojë Kosovën, kur unë isha Kryeministër dhe ai nuk do ta bëjë, kur unë do të jem President. Atij i duhet ti vihet përballë një homolog që nuk do të tërhiqet dhe që do tia tregojë vendin atij se ku e ka. Vetëm nëse jemi të fortë, mund të kemi një dialog të suksesshëm. Me kundërshtarë të dobët, Vuçiq thjesht po luan lojëra. Vuçiq nuk duhet të ketë frikë nga unë, por ai duhet ta kuptojë: Ne nuk do të ndalojmë, derisa Serbia të njohë shtetin tonë pa kushte, derisa ata të na tregojnë se ku i kanë fshehur kufomat e njerëzve tanë të zhdukur dhe të pranojnë krimet e bëra”, ka thënë Haradinaj.







