Haradinaj për policin që vrau Lulzim Spahiun: Rrejtën me qëllim kur thanë se ka qenë truproje imi

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka komentuar raportimet e bëra dje gjatë ditës se polici Vllaznim Hamdia, që vrau në Gjilan Lulzim Spahiun ka punuar në ekipin e tij si mbrojtje e afërt.

Në televizionin T7, Haradinaj thotë se është irrituar nga mediat, e se ajo që është raportuar dje është gënjeshtër.

“Vërtetë jam irritu me mediat, thonë truproje e kryeministrit, është rrenë, rrenë rrenë, kanë rrejt, se marr vesh ku po ua nxë rrugën, hala po bëj roje mos me dështu Kosova, edhe po i shoh mediat edhe i kam thirrë i kam pyet a bën me ditë pse po rreni”, thotë ai.

Haradinaj shton se beson që ky lajm është shpërndarë nga dikush, me ndonjë qëllim të caktuar.

“Ka rrejt njeri dje, nuk është njejtë demanti, mos bë lajm të rrejshëm që me demantu, unë nuk besoj që është i pa qëllimshëm, ka diçka ai personi polic ka qenë në mbrojtje të afërt, po mbase ka qenë të kryeministrat e tjerë. Pse e bojnë këta a po ju pengon që spo jau hjekim taksën, plasni se s’ka me jau hjek, pa na njoftë Serbia nuk është mirë me e hjekë kërkush”, shton ai.

“I kam në postim në faqen teme, i kemi qit screenshot e she cilat media e kanë bo, këtë e kanë bë disa sherre, mijëra shpirta i lëndon që kanë nevojë me i besu qytetarët”, ka thënë kryeministri në detyrë.