Haradinaj pas takimit me deputetin gjerman: Mirënjohës Merkelit që doli hapur kundër ndryshimit të kufijve

Pas takimit me deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e CDU-së, Peter Beyer, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se ruajtja dhe thellimi i partneritetit të shkëlqyer me aleatin tonë strategjik, Gjermaninë, është interes jetik shtetëror.

“Në takim me deputetin e Bundestagut Gjerman nga radhët e CDU-së, Peter Beyer, potencova se Kosova ka treguar maturi politike në proceset e fundit në vend dhe është e përkushtuar për zgjedhje të lira e demokratike. Duke intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, Kosova synon që ta orientojë ekonominë e saj kah Gjermania. Thellësisht mirënjohës Bundestagut dhe Kancelares Merkel, për konsistencë dhe vendosmëri në mbështetje të sovranitetit të Kosovës, duke u bërë hapur zëri ynë kundër ideve për ndarje dhe korrigjim”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, Beyer u shpreh kundër idesë për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, ndërsa iu ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që ka. Është vërtet dëm që jo të gjitha shtetet e kanë njohur Kosovën. I bëj ftesë 5 vendeve që ta njohin Kosovën. Kosova gjendet para zgjedhjeve dhe është një fushatë shumë e shkurtë, kështu që i kanë vetëm pak ditë që të fitojnë besimin e Kosovës. Gjithashtu kemi biseduar, dje isha në Beograd, kam bërë ftesë atje për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e re që duhet të krijohet pas zgjedhjeve, të kthehet në proces pa kushte. Jemi të gatshëm si në të kaluarën të mbështesim Kosovën”, tha Beyer.

I pyetur se sa është Gjermania në mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, deputeti Beyer tha se nuk mund të japë datë të caktuar, por kjo mund të ndodhë para Krishtlindjeve.

“Gjermania është në shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Ka pasur edhe data, një datë kurrë nuk e kemi cekur nga ana jonë. Vërtet nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë shpërblim për Kërshëndella”, tha ai. /Ballkani.info/

loading…