Haradinaj para deçanasëve: Kosova e ka dhënë provimin me notën më të lartë për ushtrinë

Kryeministri Ramush Haradinaj sot po qëndron në vendlindjen e tij në Deçan. Atje ai është takuar me strkuturat e partisë së tij.

Para të pranishmeve, në cilësinë e kryeministrit Haradinaj ka thënë se Kosova e ka dhënë provimin me notën më të lartë në krijimin e ushtrisë.

Me poshtë e gjeni një pjesë e fjalimit të Haradinajt:

S’mundesh me rrit fëmijë në vend të pasigurt dhe jemi detyruar të bëjmë rend, ligj e siguri. Janë policët tanë, ushtarët, prokurorët e gjyqtarët tanë që na bëjnë krenar.

Dje kemi votuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe prioritet kemi pasur sigurinë.

Janë trajtuar me respektin më të madh policët, gjyqtarët e prokurorët, që i kanë pagat më të lartat në rajon. Policia jonë po hyn në vend me policitë më të zhvilluara në rajon.

Provimin e parë për me ndodh ekonomia, investimet e kemi kaluar me suksese e ai lidhet me sigurinë.

Provimin e kemi dhënë me notën më të lartë sepse tani kemi edhe ushtrinë tonë kushtetuese.

Kosova e ka përmbyll arkitekturën e saj të sigurisë, e tani kemi një ushtri që na pranon bota, me të drejtën e saj me mbrojt kushtetutën, vendin e kufijtë.

Ne e dimë çka do të thotë kur s’je i sigurt, e dimë si na ka humbur brenda një ditë ajo që e ndërtuan të parë, e lëshuam shtëpinë për një ditë.

Shikoni sa arritur e madhe për ne është arritja e arkitekturës së sigurisë.

KFOR është po ashtu i joni, janë të paqes, janë tonë, por edhe ushtria jonë është NATO, sepse do të bëhemi pjesë e saj.