Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se pa u shkri borë në të dy anët, Kosova nuk tërhiqet nga vendimi për taksën ndaj Serbisë.

“Sot e kam thonë një fjalë se duhet me u shkri bora, tash po them se pa u shkri bora në të dy anët, s’ka tëheqje. Gjithmonë po na thonë se ne të parët duhet me e shkru borën, por kështu po ndodh që 20 vjet”, ka thënë Haradinaj në akademinë përkujtimore për Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun, dëshmorë të kombit.

Ai tutje ka thënë se është gabim që Kosova me e heqë taksën pa njohje nga Serbia, raporton Ballkani.info.

Sipas tij, 2 milionë kosovarë po ia dërgojnë 1 miliard euro Serbisë çdo vit duke blerë mallra, e Serbia në anën tjetër po vazhdon ta luftojë Kosovën.

“Ata po ndërtojnë infrastrukturë me paratë tona, me taksat tona, neve kurgjo”, tha ai.

Kryeministri ka vazhduar tutje duke thënë se Kosova për 20 vjet po mbetet pak pa e mbërri synimin e saj.

“Kjo po ndodh sepse kemi lëshuar pe për 20 vjet. E kemi kqyr vetën ma shume se popullin. Duhet të jemi bashkë, sepse vetëm kështu jemi të fuqishëm”, tha Haradinaj.

“Le të shkrihet andej për njohje, e shkrijmë edhe ne këndej. Ne s’kemi të drejt me gabu më”, tha ai. /Ballkani.info/