Haradinaj: Organet po merren me rastin e kompanisë në Prizren që ofroi 2000 vende pune në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se organet kompetente po merren me kompaninë “B.S.B Aviation” në Prizren, e cila është prezantuar se vjen nga Gjermania për të punësuar 2000 kosovarë në këtë shtet evropian.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk ka rrezik dhe se çdo lajm për migrim është i rrejshëm. Ai edhe njëherë ka thënë se deri në fund të vitit Kosova do të marrë një lajm të mirë për lëvizjen e lirë.

Dje në Prizren, kompania B.S.B Aviation ka bërë prezantimin e konkursit për 2000 vende punë për kosovarët që dëshirojnë të shkojnë në Gjermani.

Për vende të lira punë janë prezantuar pozitat si motër medicinale, shofer kamioni, pastrues, punëtor e aeroport dhe profesione të zanatit.  Sipas tyre aplikimet për punë do të fillojnë prej datës 5 nëntor.

Kjo vjen në kohën kritike kur Republika e Kosovës po pret vendimmarrje nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që do të votojnë për ose kundër liberalizimit të vizave për kosovarët.

Haradinaj ka thënë se ka dëgjuar dje për prezantimin e 2000 vendeve të punës dhe se organet po merren me këtë çështje, por është ende herët të thuhet diçka. Ai nuk ka mohuar se me këtë po merret edhe Agjencia Kosova e Inteligjencës.