Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot në Deçan ka marrë pjesë në promovimin e programit zgjedhor të kandidatit për kryetar të Komunës, Bashkim Ramosaj.

Në fjalën e tij, Haradinaj e ka lavdëruar Ramosajn dhe punën e tij, derisa më shumë është ndalur tek qeverisja qëndrore.

Ndër tjerash ai i ka falemnderuar deçanasit, për siç ka thënë, që i kanë qëndruar gjithmonë besnik dhe afër.

“Dikush dëshironte që sovraniteti i Kosovës të dorëzohet të Mogherini e prej saj te Serbia në tavolinën e dialogut. Deçani ka ditur ta ndërroi këtë gjendje, ju e keni ndërruar, Deçani e ka ndërruar…”, ka thënë ai.
“Nuk kisha mujt me e heqë dialogun nga ajo tavolinë pa juve, pa besimin e juve. Ju me keni besuar edhe kur kam qenë pas grilave, edhe kur te tjerët me kanë përbuzë, edhe kur të tjerët kanë menduar që nuk ekzistoj më. Por i erdh puna që ju, vota juve ta mundësoi formimin e ushtrisë. Duhet me i thanë falemnderit atij që të shpëtu, dhe në jemi në atë rresht me Amerikën”, ka shtuar kreu i AAK-së.

Duke folur për qeverinë e VV-së, Haradinaj e ka kritikuar Kurtin dhe ministrat e tij.

“Premtuam luftë kundër korrupsionit, nepotizmit, e sot po dëgjoj që motra e një ministrit qenka punësuar në një ministri. 100 ditë vendime për punësime të familjarëve, të secilit ministër dhe secilit deputet të pushtetit. 100 ditë vendime për punësime nëpër borde të manipulantëve dhe të atyre që marrin tendera. Importi prej Serbisë është rrit dhe kurrë më shumë nuk kemi pasur import nga Serbia sesa tash”, ka thënë tutje ish kryeministri.