Haradinaj: Nëse parlamenti do rezolutë, atëherë të krijohet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë shënimit të ditëlindjes së heroit Zahir Pajaziti, ka folur për rezolutën kundër korrigjimit të kufijve e inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

‘Në disa raste po shihet një lojë mes partive, një lojë për poena se sa për qëllim. Nëse qëllimi i parlamentit është me nxjerrë një rezolutë atëherë duhet ta krijojmë një mes’.

‘Kemi dallime, dikush është në pushtet dikush në pozitë. Hidhërime, hatërmbetje nga e kaluara, por ka disa tema nga cilat s’mund të ikim. Për shembull nga liberalizimi i vizave, nuk humbë askush, ky është interes i yni’.

‘Edhe për dialogun. Është mirë të ketë një pikë të përbashkët. Pastaj gara prapë vazhdon, problemet mbesin’.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar në seancën e djeshme nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të mos votohet kjo rezolutë për shkak të kuorumit.

Gjatë së mërkurës mbajtur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me vetëm një pikë të rendit të ditës, debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi dhe tema e korrigjimit të kufijve. LDK ka propozuar që në rezolutën e saj që t’ia ndalojë secilit të flasë me Serbinë për çështjen e kufijve. Seanca e jashtëzakonshme është karakterizuar me përplasje, mospajtime dhe debate të gjata mes deputetëve lidhur me këtë temë dhe jo vetëm.