Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë sot në Prishtinë se atje ka shkuar për të qartësuar pozicionin e Kosovës.

“Ka qenë me rëndësi të jem atje. Shkova t’i qartësojmë pozicionet e Kosovës, qëndrime të qarta tashmë të njohura dhe të respektuara kundër ndarjes dhe lëvizjes me kufij”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se nuk është takuar me palën serbe, e as me presidentin Hashim Thaçi, i cili po ashtu ndodhet për vizitë në SHBA.

Kryeministri në detyrë tha se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vazhdon të vajtojë që nuk po ndodh ndarja e Kosovës. Ai e quajti të gabuar logjikën e Vuçiq të pengojë Kosovën, por sipas tij presidenti serb me këtë nuk po e pengon Kosovën, por zhvillimin e Serbisë. Po ashtu, tha se ndarja nuk është rrezik për Kosovën, dhe se Serbia vazhdon të vajtojë për ndarje. Haradinaj tha se në fund të fundit ‘mundemi edhe pa njohje të Serbisë’.

loading…