Haradinaj me akuza të rënda: Albin Kurti po punon ngusht me ‘babën e tenderëve’, kryekriminelin Nexhat Krasniqi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot sërish ia ka përmendur kryeministrit Kurtit dhe ministrave të tij bashkëpunimin, siç thotë ai me ‘babën e tenderëve’ – Nexhat Krasniqin.

“Ky njeri (Albin Kurti) sot punon ngusht me ‘babën e tenderëve’, me Nexhat Krasniqin, për të cilin me kanë gjykuar mu në Parlament sa isha kryeministër. Janë incizimet sot. Tre ministra të Qeverisë Kurti me kanë gjykuar në Parlament, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla. Më kanë gjykuar se po e len ‘babën e tenderëve’, kryekriminelin. Të tretë sot bashkëpunojnë më të. Ky është mashtrues, por ky mashtrim nuk do të zgjasë, sepse Kosova nuk është vend që nuk lexon drejt”, ka thënë Haradinaj në prezantimin e kandidatëve të AAK-së për kryetarë të komunave, shkruan Ballkani.info.

Nuk është hera e parë që Haradinaj ia përmend Kurtit dhe ministrave të tij Nexhat Krasniqin, për të cilin Gjykata Supreme ka thënë se nuk mund të kthehet në vendin e punës pasi që është i dënuar për korrupsion.

Krasniqi vazhdon të punojë në Ministrinë e Infrastrukturës, ku ministër është Liburn Aliu. Ai e drejton departamentin më të rëndësishëm në këtë ministri, atë të Prokurimit (dhënia e tenderëve). /Ballkani.info/