Kreu i AAK-së

Haradinaj: Mashtruesit s’kalojnë, Kurti zgjodhi Borrellin dhe Lajçakun e tash po i fajëson ata

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pak para fillimit të seancës plenare të së enjtes, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti në dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj përpara mediave ka thënë se ishte kryeministri zgjodhi Shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e unionit evropian, Miroslav Lajçak, përpara Washingtonit zyrtar.

“Mashtrimi nuk kalon. Mashtruesit nuk kalojnë, i kalun dy vite Kosovës. Ju lutem shihne, sot pesë vjet kam qëndruar në Departamentin e Mbrojtjes me gjeneralin… shtator 2018. Dhjetor 2018 në Parlamentin tonë janë votu ligjet e ushtrisë. Që atëherë më tregoni cili është suksesi ynë në ecjen drejt integrimeve euroatlantike. Ka dy vite që po bëjmë hapa mbrapa. E përgëzoj presidenten sado vonë që është kthy atje kur është kërku që të merret vesh me Ameriken. Kurti e ka bërë të kundërtën përpara dy vitesh, ka zgjedh Borrellin dhe Lajçakun e tani i fajëson ata që i ka zgjedhë vetë pasi që ja ka humb dy vite Kosovës”, ka thënë ai.

Haradinaj, kur është pyetur nëse Kosova duhet të vë kushte pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se ka kërkuar nga krerët institucionalë që të merren vesh në Washington lidhur me Serbinë.

“Ju thashë përpara dy vitesh i kam kërku Kurtit dhe zonjës Osmani, shkoni në Washington merrnu vesh. Arrine marrëveshjen e Washingtonit dhe do të zbatohet përmes BE-së implementimi i marrëveshjes. Nuk guxojnë me bë eksperimente të tjera në proces përveçse me u marrë vesh me Amerikën menjëherë. Nuk është në interes tonin të mbetur të destabilizuar”, ka thënë më tutje kreu i AAK-së në hollin e Kuvendit.