Pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media.
I pyetur rreth mos pjesëmarrjes së partive opozitare në dialog, Haradinaj ka thënë se të dy partitë opozitare duhet ta përforcojnë rolin e Kosovës në dialog me pjesëmarrjen e tyre.
“Edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja duhet ta fuqizojnë rolin e Kosovës në dialog me Serbinë. Këtu ‘luhen’ dy liga, njëra është e brendshme ku ne i vazhdojmë garat tona të politikës së brendshme qoftë për pushtet apo diçka tjetër dhe pastaj vjen liga e jashtme, ku ne duhet që së bashku të krijojmë një kombëtare të Kosovës apo përfaqësuese për ata që nuk duan ta thërrasin kombëtare, e të dy partitë opozitare nuk duhet ta dobësojnë kombëtaren e tyre”, ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.
Kujtojmë se dy partitë opozitare, LDK dhe LVV nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e negociatave në dialog me Serbinë. /Ballkani.info







