Haradinaj: Ky është viti i konsolidimit si shtet dhe i përmbylljes të temave të hapura

Qeveria e vendit ka mbajtur një mbledhje solemne për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me këtë rast ka mbajtur një fjalim të shkurtër para kabinetit qeveritar.

Ai ka thënë se secili qytetar i Kosovës e ka rrëfimin e tij për rrugëtimin e shtetit të Kosovës për këto 11 vjet.

“Pavarësia jeton në ne. Secili prej nesh i ka rrugëtuar këto 11 vjet të Pavarësisë, ccdo qytetar, secili prej nesh e ka rrëfimin e vet të rrugës 11 vjet shtet.

“Edhe qeveria e vendit e ka rrëfimin e vet. Edhe kjo Qeveri tani e ka rrëfimin e vet nga koha kur kemi marrë përgjegjësitë”.

“Ajo që mendoj se është me rëndësi t’ua konfirmojmë qytetarëve të vendit se me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që janë ndodhur para Kosovës dhe Qeverisë dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit”.

“Ka shumë vendime, ligje, pako ligjore, reformë. Ka po ashtu vendime të mëdha si Ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën dhe resurset tjera ekonomike – vendime të tjera ekonomike “.

Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, duke përmendur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në 10 vjetëshin e dytë që kemi hyrë, besoj që është një vit i konsolidimit tonë si shtet dhe i përmbylljes të të gjitha temave të mbetura të hapura në planin rajonal dhe ndërkombëtar që nënkupton edhe marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues, njëkohësisht edhe anëtarësim në NATO”.