Në vazhdim të seancës, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk po trajtohej me si një Kosovë fusnotë, por si një Republikë dhe aleat serioz.

“Presioni për heqjen dhe pezullimin e taksës ishte i madh, por qëndrimi në mbajtjen e saj ishte akoma më i fuqishëm. Kosova nuk do duhej të dilte e dobët karshi askujt përderisa mbron interesat e saj nacional. Sidomos ndaj një Serbie që pretendimet territoriale dhe cënimin e sovranitet të Republikës sonë, i ka në agjendë të përditshme, e pangopur, së bashku më aleatët e saj të kahmotshëm”, tha Haradinaj.

Ai tutje ia ka kujtuar kryeministrit Kurti zhvillimin e tij politik dhe aktivitetet e tij politike.

“Rrotullime kamionësh, protesta të përgjakshme, humbje dhe burgosje aktivistësh, të gjitha nën kauzën kundër politikave fashiste serbe dhe sidomos kundër një barkodi 860 që Serbisë i jepte me qindra miliona euro në vit nga Kosova. “Bojkoto 860” “Duaje tënden” “Serbia nuk kalon”, molotov e vezë, slogane e veprime këto që Kurtin e sollën edhe në karrigen e Kryeministrit më 6 tetor”, ka thënë Haradinaj.

Por, “ideologjia e tij” e them në thonjëza, dhe maska e tij ranë, kur u dorëzua para Serbisë, shtoi Haradinaj.

“Kurti shkeli mbi parimet e veta dhe të çdo qytetari që më 6 tetor ia besoi mandatin. Shkeli mbi të gjithë atë që me mund u ndërtua për ta vënë Kosovën në hartën e të barabartëve ndërkombëtarisht. Shkeli mbi prodhuesin vendor, shkeli mbi çdo kod etik qe e proklamonte me megafon dikur në rrugë dhe e heshti dje kur u gjunjëzua Serbisë. Andaj sot, kemi 100 arsye të kundershtojmë dhe protestojmë me vendimin pa kushte dhe të pa dakorduar me SHBA për heqjen e taksës”, tha më tutje ai.

“Kosova duhet ta dijë, se sot tregu i lirë për Serbinë do të paraqet rrezik nesër. Sot po i dorëzohemi atyre që dikur ishin në krye të pushtetit Millosheviqian”, theksoi Haradinaj. /Ballkani.info/