Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk ka dyshim në vendimin që ta votojë mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Kurti.

Ai ka theksuar se nëse partneri i koalicionit është i gatshëm ta rrëzojë Kurtin, atëherë AAK është dy herë me e gatshme se ajo. “Më vjen keq për situatën me koronavirus, mirëpo kur ka vullnet partneri i koalicioni për rrëzim të Qeverisë, ne jemi dy herë më shumë të gatshëm. Nuk mund të fshihet Kurti prapa situatës së pandemisë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se ka shumë arsye pse AAK ka vendosur ta votoj këtë mocion. “I ndjek agjendat e akterëve evorpianë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ngrirja e raporteve ekonomike e politike me SHBA. Kërcënimet zyrtare të SHBA-së për heqjen e fondeve, të sigurisë, janë disa prej arsyeve. Me arsye banale e kanë hequr taksën, ditën që e nënshkruam mocionin, duke thënë se lënda e parë e ka dëmtu Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sa i përket shqetësimeve se a mund të mbahet a jo seanca për votimin e mosbesimit për shkak të rrezikut nga infektimi me koronavirus, duke pasur parasysh se salla e Kuvendit nuk i plotëson kushtet, ai ka thënë se AAK-së nuk i ngutet dhe ky vendim le të jetë i Kryesisë së Kuvendit. “Në rast se ka pasur kushte për seancën e buxhetit, unë nuk shoh problem në këto rrethana.

Një mjek me kredibilitet kishte bërë një reagim publik dhe kishte thënë që askush nuk e ka preokupim për shëndetin e mjekëve të QKUK-së, por brengosen për shëndetin e deputetëve. Megjithatë, i përket Kryesisë së Kuvendit të vendosë. Ne e respektojmë. Ne nuk e kemi me nxitim”, ka thënë Haradinaj.