Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e tij me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosvoës kundër pandemisë Covid-19. Haradinaj ka thënë se institucionet duhet të nguten me miratimin e rishikimit të buxhetit, që paratë të lëshohen në qarkullim sa më shpejt dhe ekonomia të marr frymë.
Haradinaj ka thënë se po shqetësohet nga dëmi që po i shkaktohet ekonomisë me masat e vazhdueshme ndaj aktiviteteve biznesore.
“Duhet me nxitu sa më shpejtë me votu buxhetin dhe me i shti paret në ekonomi se janë njerëzit para bankrotimit. Jemi të shqetësum për marrëveshjet ndërkombëtare, që po vonohen për miratim në Kuvend. Shpresoj që të miratohet buxheti, që paratë të shkojnë te ata që i meritojnë, te punëtorët, te sipërmarrësit, te ekonomia”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se është kundër që për shkak të masave të dëmtohet ekonomia. Po ashtu, ai ka shprehur specifikisht kundërshtimin e tij ndaj kufizimit të lëvizjes deri në ora 21:00 në disa qytete të Kosovës.
“Unë jam kategorikisht kundër që me vdekë ekonominë me masa mbrojtëse nga pandemia sepse njëjtë do ta mbysin veten pa ekonomi. Apeloj te të gjithë që kujdesi është tepër i rëndësishëm, pra distanca, maskat. Po habitem pak me këtë orarin dej në orën 21:00. Ka mujt me qenë deri në 23:00. Shtoja edhe dy orë dhe lëre ekonominë të funksionojë. Krejt restorantet i ke pre, se kërkush nuk shkon në darkë në ora 17:00”. Ka thënë ai.
“Nëse masat respektohen deri në ora 21:00, le të respektohen edhe deri në ora 23:00. Mendoj që është mirë me u ndryshu kjo”, ka theksuar tutje Haradinaj.
Po ashtu, ai ka kërkuar që të gjenden formula të reja për lejimin e dasmave dhe ahengjeve familjare. Ka thënë se me këto vendime po dëmtohet sektori i gastronimisë, që ka një rëndësi të madhe në zingjirin ekonomik të vendit.
“Është mirë me gjetë formula edhe për dasma e ahengje. Të mendohen rregulla, por të lejohen. Unë jam për me hapë ekonominë më shumë. Gastronomia është një sektor i madh. Nuk punojnë veç kamarierat e kuzhinierat, por punon një popull prapa për ato produkte që i shërben gastronomia. Është ka bën dëme shumë. Në Rahovec, bujqit s’mund t’i shisnin sallatat se nuk i blenin restorantet”, ka theksuar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së ka thënë se nëse nuk bëhet hapja e menjëhershme e ekonomisë, pasojat mund të jenë të mëdha.
“Jam për hapjen e menjëhershme të ekonomisë, ndryshe pasojat do të jenë të shumëanshme”, ka theksuar Haradinaj në Rubikon.







